Arrestohen dy amerikanë në Morinë, shkatërrohet baza e drogës

schedule14:20 - 26 Shtator, 2018

schedule 14:20 - 26 Shtator, 2018

Arrestohen dy shtetas amerikanë në Tiranë. Prej një viti ishin shpallur në kërkim në SHBA pasi akuzoheshin se prodhonin drogë sintetike, por zbulohet se ata ishin strehuar në Tiranë ku dhe kishin zhvendosur bazën e përpunimit të drogës.

Dy shtetas amerikanë janë vënë në prangat e policisë shqiptare, pasi kishin ardhur në Tiranë për të prodhuar drogë sintetike. Këto janë pamjet të aksionit policor të koduar “Sintetiku”.

DEA amerikane kishte nisur hetimin një vit më parë për Arbër Isakun dhe Vincent Dominic De Caro, duke u angazhuar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

“Ndaj tyre, Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” kjo vepër e kryer nëpërmjet ‘dark web’.  Këta shtetas ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA. Ata kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.”

Sipas shefit të policisë kriminale Eduart Merkaj, të rinjtë u prangosën në Morinë në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

“Shtetasit e mësipërm u mbajtën nën vëzhgim nga agjentët e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe u arrestuan në Morinë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Në operacion kanë marrë pjesë edhe agjentë e DEA-s”.

Gjatë kontrollit në bazën ku fshiheshin në Tiranë u gjetën estrakte narkotikësh që do të shërbenin për përgatitjen e drogave sintetike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!