Arrestimi i dy politikanëve serbë, protestë në veri të Kosovës

schedule14:04 - 8 Gusht, 2024

schedule 14:04 - 8 Gusht, 2024

Serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë po protestojnë para stacionit policor në këtë komunë, pas arrestimit të dy politikanëve serbë më 8 gusht.

Në mesin e protestuesve ka edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Alleksandar Arsenijeviç dhe Stefan Vellkoviç nga partia Demokracia Serbe, u arrestuan në Mitrovicë të Veriut, për pendim të zyrtarëve që po lyenin murin afër afër urës kryesore mbi Ibër.

“Arsenijeviç u arrestua për pengim të një zyrtari gjatë kryerjes së detyrës dhe për mosdëgjimin e urdhrave të policisë. Ne kemi marrë informacionin në jug, prokurori është aty dhe thotë se do të marrë deklaratën e tyre, do të ndiqet procedura normale dhe ata do të lirohen deri në orën 18:00”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, për gazetarët në Mitrovicë.

Lidhur me arrestimin e politikanëve serbë ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Kjo zyrë tha se ata u arrestuan pasi nuk lejuan që të “përdhoseshin simbolet serbe”.

“Arrestimi i tyre brutal dëshmon se serbët kanë të drejtë të jenë shumë të shqetësuar për sigurinë dhe ekzistencën e tyre në Kosovë, veçmas në dritë të synimit të hapjes së urës mbi Ibër që sot u tregua me arrestimin brutal dhe hakmarrjen, pikërisht pranë urës”, u tha në reagim.

Arrestimi i Arsenijeviçit dhe Vellkoviçit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut u mbajt një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Para nisjes së debatit, në komunën e Mitrovicës së Veriut shkuan anëtarë të partisë së Arsenijeviçit, që kërkuan nga Elshani të shpjegoi se pse u arrestuan dy anëtarët e kësaj partie.

Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!