TIRANË- Arrestimi i kandidatit të “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri, ngjalli reagime të forta në Shqipëri dhe në Greqi. Sipas Policisë, Beleri është kapur në flagrancë për blerje votash dhe kjo ka qenë arsyeja e arrestimit të tij, pavarësisht se pala mbrojtëse e Belerit e hodhi poshtë një akuzë të tillë.
Analisti Mentor Nazarko, tha për “Ballan Update” se Fredi Beleri është një personazh me dritë-hije, ndërsa solli në vëmendje arrestimin e tij për ngjarjen e Peshkëpisë në prill të vitit 1994.
“Jo thjesht ka bërë deklarata, që synojnë të përmbysin në njëfarë mënyre rendin kushtetues të Shqipërisë, por nga vetë autoritete greke, në mes të vitet ’90 është arrestuar si dikush i përfshirë në masakrën e Pëshkëpisë. Ishte asokohe qeveria e Simitis, e cila mbajti një qëndrim të arsyeshëm dhe bashkëpunues në lidhje me hetimet që shoqëruan atë ngjarje dramatike në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe që fajësoi këtë zotëri. Ndërkohë, që pjesa që ju referohet para se të mbërrinim te kapja në flagrancë, për krimin e blerjes së votës, është krim opinioni dhe krimet e opinionit domosdoshmërisht nuk sjellin arrestim. Për këtë që po flasim, kemi të bëjmë me një krim konkret dhe të dënuar penalisht”, tha Nazarko.
Para pak ditësh Beleri u shpreh për mediat greke se do të punojë për helenizmin e Himarës, deklaratë kjo, e cila bie ndesh me rendin Kushtetues të Shqipërisë. Nazarko e cilësoi Fredi Belerin si “kalorës të së keqes” duke thënë se me artikulimet e tij tentoi të rikthejë tema, të cilat tashmë i përkasin të kaluarës. Ai u shpreh se në Shqipëri nuk ka asnjë lloj diskriminim të minoritetit grek.
“Është kalorës i së keqes, i cili riaktivizon tema, që janë të tejkaluara. Pse janë të tejkaluara? Përveç faktit se në Shqipëri nuk ka diskriminim të minoritetit grek. Himara nuk është qendër e minoritetit etnik grek. Është dy herë në fakt i dënuar nga shteti shqiptar, por nga krime që janë parashkruar”, tha ai./n.m.abcnews.al