Mes dhembjes dhe lotëve, familjarë, miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit Shpat Kasapit gjatë një ceremonie të mbajtur në pallatin e Kulturës në Tetovë, në vendlindjen e tij këtë të diel.
Të pranishmit ndajnë kujtime dhe emocione, duke reflektuar mbi ndikimin e madh që Kasapi la në publik dhe tek kolegët e tij.
Këngëtari i njohur u nda nga jeta pas një ataku kardiak, më 26 nëntor ndërsa ndodhej në Itali. Në homazhet e zhvilluara kolegë të njohur të artistit me lot në sy u përkulën në trupin e pajetë të këngëtarit pranë arkëmortit të mbuluar me flamurin kuq e zi dhe foton e këngëtarin.
Lajmi tronditi publikun dhe komunitetin artistik shqiptar, të cilët e kujtojnë Kasapin për karrierën e tij të gjatë muzikore dhe hitet që e bënë të dashur për shumë breza. Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare.
I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore. Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike.
Shpati u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite.
40-vjeçari Kasapi ka lënë pas djalin e tij, Roar me ish-bashkëshorten Selvije Jao, me të cilën u nda pas disa vitesh lidhje. /abcnews.al

