Gjykata e Lezhës ndryshoi masën e sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, nga arrest me burg në arrest shtëpie. E njëjta masë sigurie u vendos edhe për gjashtë zyrtarë të tjerë, kurse dy nga të arrestuarit u lanë me arrest në burg.
Pak para se të ngrihej në këmbë për të degjuar vendimin e gjykatësit, kryetari i Bashkisë së Lezhës ishte i qeshur.
Seanca që kishte nisur në 9 të mëngjesit përfundoi pas afro katër orësh. Pas dëgjimit të palëve, mbrojtjes dhe organit të akuzës, Gjykata e bindur, kërkoi më tepër prova ndaj të pandehurve.
Nëntë të akuzuarit dëgjuan vendimin e shpallur nga gjykatësi Artan Hajredinaj. Kryetari i Bashkisë, Fran Frrokaj, nënkryetari Enver Hafizi dhe kryetari i Qarkut, Ndok Gjoka, u dërguan në shtëpi. Masa e tyre e arrestit me burg ndryshoi me arrest shtëpiak. Ndokës, ky vendim iu komunikua në spital, ku dhe ishte shtruar prej ditës së dielë.
“Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të dhënë ndaj të arrestuarit, Fran Frrokaj, me vendimin Nr.86, datë 15.03.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe zëvendësimin e kësaj mase, me atë të “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore, duke urdhëruar të dyshuarin Fran Frrokaj, të mos largohet nga banesa e tij në qytetin Lezhë, lagjja “Beselidhja” dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me atë”.
Menjëherë pas këtij vendimi jashtë dyerve të gjykatës u dëgjuan brohorima. Mbështetësit e Frrokajt, të cilët prej tre ditësh qëndrojnë para godinës së policisë dhe te gjykata, nisën të festonin.
Në arrest shtëpie u lanë edhe katër zyrtarët, Gjelina Bacaj, Dilaver Neli, Frrok Frroku dhe Pjetër Gjoni. Kurse për dy të arrestuarit, Ardenis Haxhia dhe Enkejled Zefi, gjykata ka lënë masën fillestare, atë të arrestit me burg.
Për tre të arrestuarit, Jugjina Mema, Marte Gjergji, Luigj Paloka, vlerësimi i masës së sigurisë do të bëhet në një tjetër seancë. 23 zyrtarë lokale të Lezhës, mes të cilëve 12 të arrestuar dhe 11 të shpallur në kërkim, akuzohen nga prokuroria se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar afro 260 mijë m2 në plazhin e Shëngjinit, tek Rana e Hedhun, duke e kthyer këtë pronë shtetërore në pronë private dhe më pas, duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare./abcnews.al