Armë në aksin Shqipëri-Greqi, 6 të arrestuar në vendin fqinj

schedule12:44 / 15/09/2019

Policia greke ka asgjësuar një grup kriminal që trafikonte sasi të konsiderueshme armësh në aksin Shqipëri-Greqi. Në pranga kanë rënë 6 shtetas grekë, ndërsa janë sekuestruar 4 automatikë të tipit Kallashnikov dhe mbi 100 mijë fishekë që vinin nga Shqipëria.

Policia greke ka goditur një grup kriminal të përbërë nga shtetas vendas dhe të huaj, që importonte sasi të mëdha armësh luftarake nga Shqipëria. Në pranga kanë rënë 6 persona, të gjithë shtetas grekë, ndërsa janë sekuestruar 4 automatikë të tipit Kallashnikov dhe mbi 122 mijë fishekë. Sipas mediave helene, armët po transportoheshin me një makinë tip fuoristradë që drejtohej nga një 59-vjeçar grek, i nisur direkt nga Shqipëria. Armët kishin si destinacion ishullin e Kretës, ku janë vënë në pranga 4 prej personave të arrestuar. Nga hetimet, të cilat kanë zgjatur përreth 1 vit, ka rezultuar se armatimet dhe municionet në Shqipëri siguroheshin nga dy grupe kriminale, të cilat vepronin të ndara në nëngrupe dhe arrinin të plotësonin të gjithë kërkesën që vinte nga vendi fqinj. Në tërësi, në dosjen hetimore janë përfshirë 16 persona, 11 vendas dhe 5 të huaj, 6 prej të cilëve u arrestuan ditën e diel. Nga hetimi policor ka rezultuar gjithashtu se, nga nëntori i vitit 2018 e deri më sot ky grup kriminal ka kryer të paktën katër herë import të armëve nga Shqipëria. /ABC News Albania 24/7

schedule12:44 / 15/09/2019