Armand Duka “harron” përplasjen me Erion Veliajn: Janë marrë të gjitha masat për Conference League

schedule20:11 - 20 Maj, 2022

schedule 20:11 - 20 Maj, 2022

Finalja e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet më 25 maj në “Arenën Air Albania”, ka “zbutur” marrëdhëniet mes kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe presidentit të FSHF Armand Duka.

Dhjetëra mijë tifozë italianë dhe holandezë, që pritet të vijnë në Shqipëri për finalen e Ligës së Konferencës do të transportohen me mbi 100 autobusë të vendosur në dispozicion nga Bashkia e Tiranës.

I ftuar në Radarin Informativ në Abc Duka u shpreh se me masat e marra nga qeveria ditën e ndeshjes e cila do të jetë ditë pushimi, pritet që gjithçka të shkojë mirë.

Ky është një nga eventet më të rëndësishme. Është akoma më i rëndësishëm që mbahet në Tiranë. Deri tani s’e kisha imagjinuar që do kishte kaq shumë punë për organizimin e një ndeshje Europiane. Përgatitjet kanë filluar rreth 3 muaj më parë që të jetë një ndeshje perfekte.

Puna fillon që nga aeroporti, organizimi i punës atje. Janë marrë të gjitha masat nga qeveria. Punët janë projektuar mirë janë marrë masat në kohë. Çdo gjë udhëhiqet nga ekspertë të UEFAS. Qëllimi është që çdo njeri që shkel në Shqipëri të largohet i kënaqur”.

Pavarësisht se qeveria i ka dhënë pushim institucioneve shtetërore duke përfshirë shkollat dhe kopshtet në Tiranë për t’u menaxhuar mbetet trafiku.

“S’kemi eksperiencë në pritjen e një numri kaq të madh vizitorësh në një ditë. Mendoj se çdo gjë do shkojë mirë, me masat e marra. Janë tifozë, disa prej tyre mbase dhe ultras dhe kujdesi të jetë maksimal për të ruajtur rendin për të qenë çdo gjë korrekte. Pika më e vështirë që mund të kemi janë qarkullimi i dendur dhe trafiku. Masat që ka marrë qeveria shpresoj që të mos e kemi këtë problem”, shtoi Duka.

Për të ruajtur rendin dhe sigurinë, Duka tha se “do të vijnë forca sigurie nga Holanda dhe Italia”.

Duka është zgjedhur president i Federatës Shqiptare të Futbollit të cilën do ta drejtojë edhe për 4 vite të tjera duke marrë kështu mandatin e gjashtë pas votimit në Asamblenë Zgjedhore. Këto zgjedhje nuk ishin të qeta pasi ai pretendoi se ka pasur ndërhyrje dhe presione nga politika. be.k /abcnews.al