Argjinatura e lumit Vjosë në zonën e Fierit po i nënshtrohet ndërhyrjes së fundit për rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara nga vërshimet e ujit. Pas përfundimit të punimeve në Kafaraj, ndërhyrja është përqendruar në Ferras, aty ku lumi depërtonte në zonat e banuara përmes Kanalit të Martinës.
Për banorët e fshatit, riparimi dhe përforcimi i argjinaturës është një ndërhyrje e rëndësishme për të shmangur përsëritjen e situatave të përmbytjeve, të cilat kanë shkaktuar dëme në të kaluarën.
Punimet nisën disa muaj më parë dhe përfshijnë rreth 3 mijë e 400 metra linearë argjinaturë. Segmenti i Ferrasit përbën fazën e fundit dhe njëkohësisht pjesën më të rëndësishme të ndërhyrjes, për shkak të problematikave të krijuara nga dalja e ujit përmes Kanalit të Martinës.
Përveç riparimit të çarjeve, ndërhyrja ka përfshirë edhe ngritjen e nivelit të argjinaturës. Sipas të dhënave të projektit, lartësia është rritur nga 10 deri në 45 centimetra në Degën e Martinës, ndërsa në bankinën e Kolektorit të Klosës ngritja varion nga 10 centimetra deri në 1 metër.
Dëmtimet në këtë zonë u shkaktuan nga vërshimet e janarit të këtij viti, kur u dëmtua edhe bankina e kanalit vaditës, e njohur si Dega e Martinës, e cila shërben njëkohësisht edhe si argjinaturë mbrojtëse. Me përfundimin e këtyre punimeve, synohet forcimi i mbrojtjes së zonës nga dalja e Vjosës nga shtrati dhe ulja e rrezikut të përmbytjeve për banorët dhe tokat bujqësore.


