Ardian Isufi: Instalacioni mbi Galeri interesant, por vendi i prezantimit duhej mbi Kuvend

schedule16:59 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 16:59 - 20 Dhjetor, 2019

Instalacioni i artistit ganez me thasë mbi Galerinë e Arteve, përcjell kontradiktat mes institucioneve dhe vete shoqërisë. Kjo vepër që ka zgjuar jo pak polemika dhe kundërshti në opinionin publik, për artistin Ardian Isufi është mjaft interesante.

Në një intervistë për “Abc News” Isufi thotë se godina e duhur për këtë instalacion do të ishte Kuvendi i Shqipërisë.

Artisti  ganez Ibrahim Mahama është një prej artistëve të veçantë botërorë të artit konceptual. Instalacioni i tij i cili ka mbuluar galerinë kombëtare, është ekspozuar  4 vite më parë në bienalen e Venecias.

Kjo vepër ka  ngjallur polemika tek opinioni publik , por edhe mes artistesh. Artisti dhe dekani i arteve pamore në universitetin e arteve Ardian Isufi ka qenë një zë kritik, sa i përket  menaxhimit të galerisë, por në këtë rast ai thotë se kjo vepër është interesante.

Godina 45-vjeçare e artit, mbuluar me thasë jute të kafenjtë  kësaj here vjen e frymëzuar nga romani i Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”.

Vepra synon të paraqesë kontradiktat paradokset e qenësishme brenda historisë dhe format e punës që shfrytëzohen në kohën e sotme. Por Ardian Isufi  thotë se  godina ideale  e cila do të përçonte siç duhet mesazhet e trishtimit, vuajtjes dhe skamjes, do ishte Kuvendi i Shqipërisë.

Instalacioni  i artistit Ibrahim Mahama,  do të  ekspozohet mbi  godinën e galerisë deri në mars te 2020 në kuadër të ekspozitës “Tirana Durim”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!