Nga Erblina Mile
Monedha evropiane ka humbur rreth 8 pikë kundrejt lekut vetëm në dy muaj. Aktualisht sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po shkëmbehet me 119,9 lekë duke arritur nivelin më të ulët gjatë këtij viti.
Tendenca e vlerësimit të lekut ndaj euros nisi që me rritjen e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë. Por sipas agjentëve një ndikim ka dhënë edhe ardhja e turistëve të parë gjatë muajit maj të cilët kanë shtuar sasinë e eurove në qarkullim.
Monedha evropiane pritet të zhvlerësohet edhe më tej kundrejt lekut në ditët ne vijim. Ardhja e rreth 100 mijë tifozëve për ndeshjen e Ligës së Konferencës do të shtojë përdorimin e eurove në treg duke bërë që leku të fitojë përsëri pikë.
Zhvlerësimi i euros ndaj lekut është pozitive për të gjithë ata persona që kanë marrë kredi në monedhën evropiane por edhe për qeverinë shqiptare pasi paguan më pak interesa për borxhin publik.
Ndërsa ata që preken negativisht nga fenomeni i zhvlerësimit janë eksportuesit që i blejnë mallrat me euro dhe i shesin në lekë dhe padyshim depozituesit të cilët përfitojnë më pak të ardhura.
Duke qene se monedha evropiane pritet të zhvlerësohet sipas ekspertëve qytetarë të apo bizneset duhet të jenë të kujdesshëm për të blerë apo shitur valutë. Po ashtu edhe dollari amerikan ka pësuar një zhvlerësim gjatë ditëve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar po këmbehet aktualisht me 113.3 lekë. /abcnews.al/