Arben Bajo gdhend në përjetësi skulpturën e Vaçe Zelës

schedule16:02 - 11 Shtator, 2019

schedule 16:02 - 11 Shtator, 2019

Arben Bajo realizon skulpturën e mitit të muzikës shqiptare Vaçe Zela. Artisti në një intervistë për ABC News rrëfen detaje rreth veprës e cila do të vendoset në vendlindjen e këngëtares në Lushnje.

Një çast i kapur nga interpretimi i këngëtares legjendë Vaçe Zela “Moj e bukura Arbëri” ka impresionuar artistin Arben Bajo, për përjetësimin e saj në skulpturë.

Iniciativa për realizimin e kësaj vepre ishte e këngëtarit lushnjar Luan Manahasa. Bajo ka jetuar gjatë me Vaçe Zelën në studion e tij, deri në realizimin final të kësaj vepre, për të cilën ndihet mirë që iu besua atij?

Përveç shijimit të muzikës së saj në sfond, për derdhjen në bronz të skulpturës 2 metra të gjatë është konsultuar me këngëtarë të kohës. Skulptori thotë se në ndihmë i kanë ardhur edhe kujtimet e të atit qe e ka patur Vaçe Zelën në gjimnaz.

Në aspektin artistik i ka qëndruar besnik skulpturës realiste, pasi figurat e mëdha sipas tij nuk kanë kuptim në abstraksion. Shikuesit e parë, miqtë e tij artistë dhe profesionistë i kanë shprehur vlerësime, por sipas skulptorit koha është vendimtare në realizimin e një vepre arti.

Skulptura është menduar të qëndrojë në një podium në formë skene, ku njerëzit të kenë mundësi, pse jo të këndojnë sëbashku me të. Skulptura e Vaçe Zelës do të ketë një inaugurim madhështor sipas Luan Manahasës, i cili po bashkëpunon edhe me Bashkinë e Lushnjes./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!