Renato Arapi, kapiteni i Teutës, është i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News. Mbrojtësi qendror foli për skuadrën e tij, objektivat dhe përballjen e parë të kampionatit kundër Skënderbeut (u mbyll 1-1).
“Ne do lozim javën që vjen për të penguar shkëputjen e Tiranës. E nisëm mirë lojën, patëm shumë raste me Skënderbeun. Fati nuk ishte me ne, pësuam gol për mungesë të përqendrimit. Mund ta pësonim në fund dhe mendoj se në fund ishte një rezultat i drejtë.
Përveç rasteve të humbura, nëse jepej ajo penallti, me shumë mundësi ai rasti në fund nuk do ishte krijuar. Nuk do kalonim në aventurë dhe do të kishte tjetër rrjedhë loja.
Kallaku? Lojtarë të tillë është e vështirë t’i zëvendësosh. Ishte Rroca, asnjë ekip tjetër i Superiores nuk ka numra 10, edhe në Evropë ka mungesa në këtë pozicion. Bregu në atë rol? Është diçka që i përket trajnerit.
Ajo që donim të bënim në pjesën e parë, ishte marrja e krahëve dhe ndërrimi i shpejtë i krahëve. E arritëm pak. Në të dytën trajneri i Skënderbeut luajti me 5-3-2 dhe hasëm vështirësi në krah.
Nëse do ishim 2-0, Rustemi do ishte në vendin e tij te rasti i Skënderbeut në fund të ndeshjes. Nuk arritëm t’i shënonim 3-4 rastet e pastra, mendoj se jemi ekip i fortë dhe do të jemi në garë për titullin deri në fund”, deklaroi kapiteni i ekipit durrsak. /abcnews.al