Arabia Saudite liron disa princa dhe biznesmenë, mbaheshin te burgosur në një hotel luksoz

schedule14:47 - 28 Janar, 2018

schedule 14:47 - 28 Janar, 2018

Disa nga princat dhe biznesmenët që mbaheshin të burgosur në një hotel luksoz në Arabinë Saudite janë liruar. Ata ishin arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

Autoritetet saudite kanë liruar një numër të madh të princave dhe biznesmenëve të arrestuar gjatë një operacioni kundër korrupsionit. Lajmi është bërë i ditur nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve që citojnë mediat vendase. E përditshmja saudite “Okaz”, shkruan se personat që u mbajtën në hotelin “Ritz-Carlton” të Rijadit u liruan pas arritjes së marrëveshjes me autoritetet.

Gazeta nuk publikoi emrat e të liruarve, por tha se dosja e të arrestuarve nën dyshimin për korrupsion “do të ketë përparim në ditët e ardhshme”.
Ndërkohë, miliarderi saudit, princi Alwaleed bin Talal pritet të lirohet brenda pak ditësh. Autoritetet saudite ende nuk kanë lëshuar një deklaratë zyrtare mbi lirimin. Në Nëntor, autoritetet saudite arrestuan dhjetëra figura publike, duke përfshirë princa dhe ministra në një operacion masiv kundër korrupsionit.

Arrestimet erdhën menjëherë pasi një komitet kundër korrupsionit nën drejtimin e princit të kurorës, Mohamed bin Salman, u formua përmes një dekreti mbretëror. Autoritetet saudite theksuan se së paku 100 miliardë dollarë ishin keqpërdorur përmes korrupsionit sistematik./abcnews.al