Apeli pranon gjykimin e shkurtuar për “Xibrakën”

schedule15:09 - 15 Nëntor, 2017

schedule 15:09 - 15 Nëntor, 2017

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar ndaj nëntë të akuzuare të dosjes “Xibraka”. Apeli la në fuqi fajësinë, por pranoi kërkesën e palëve për aplikim të gjykimit të shkurtuar. Në këtë mënyrë të pandehurve iu ul një e treta e dënimit të marrë në shkallën e parë.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të pranojë aplikimin e gjykimit të shkurtuar për nëntë të pandehurit e dosjes “Xibraka”.
Në këtë mënyrë, ndonëse u deklaruan të fajshëm në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre për laboratorin e kokainës në aksin Elbasan-Librazhd, të pandehurit përfituan ulje të një të tretës së dënimit. Sipas vendimit të shpallur të mërkurën në Apel, të pandehurit Genci Xhixha dhe Saimir Batku, dy të dënuarit më masë më të rëndë në Shkallën e Parë, me 13 vite burg, do t’u duhet të vuajnë nga 8 vjet e 8 muaj burg. Për Ermal Hoxhën, nipin e diktatorit Enver Hoxha, zbatimi i uljesë së gjykimit të shkurtuar ia ka çuar dënimin përfundimtar në 6 vjet e 8 muaj burg. Dënime më të zbutura kanë marrë edhe të pandehurit e tjerë, mes të cilëve edhe dy shtetasit kolumbianë Cesar Avilla dhe Valter Moreno, të cilët kryenin procesin kimik të ekstratimit të kokainës në laboratorin e Xibrakës.
Në konkluzionet përfundimtare të palëve në Apel, avokatët këmbëngulën në faktin se Shkalla e Parë kishte gabuar kur nuk kishte pranuar gjykimin e shkurtuar. Në atë seancë, pretendimi i avokatëve u konsiderua i drejtë edhe nga prokurori i Apelit.
Vendimi përfundimtar për këtë dosje në shkallën e Parë u shpall në 11 korrik 2017 ku të pandehurit u dënuan në total me 104 vite burg./abcnews.al

I pandehuri      Shk. I     Apeli

Genci Xhixha      13 vjet 8 vjet e 8 muaj
Sajmir Batku      13 vjet 8 vjet e 8 muaj
Ilir Hyseni           12 vjet 8 vjet burg
Ermal Hoxha      10 vjet 6 vjet e 8 muaj
Arjan Dalipaj      10 vjet 6 vjet e 8 muaj
Gentian Gjonaj   11 vjet 7 vjet e 4 muaj
Klement Dalipaj  11 vjet 7 vjet e 4 muaj
Cesar Avilla           12 vjet 8 vjet
Valter Moreno       12 vjet 8 vjet

 

https://youtu.be/GsyUEON1VY4

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!