Gjykata e Apelit Tiranë la në qeli 7 nga 12 protestues të opozitës që ishin në burg, pas arrestimit për dhunë gjatë protestave të organizuara nga opozita.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu e quajti vendimin të padrejtë dhe të ndikuar politikisht. Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në burg 7 nga 12 protestues të arrestuar për aktet e gjatë protestave të opozitës. Gjykata ka shqyrtuar ankimimet e vendimeve të dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë, që 12 protestuesve u kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Apeli vendosi kundër kërkesës së avokatëve për të liruar 5 personat e arrestuar për protestën e 16 Shkurtit dhe 2 persona të tjerë për protestën e 16 Marsit, njëri prej të cilëve është student.
Ndryshim vendimi kishte kërkuar dhe Prokuroria ne ankimimin për vendimin e gjykatës që liroi me masë “detyrim paraqitje” 10 persona, të arrestuar gjatë protestës së 16 Marsit para Parlamentit. Në mbështetje të protestuesve të ndaluar ishte edhe ish-deputeti i partisë demokratike Klevis Balliu, i cili vendimin e gjykatës e quajti të padrejtë dhe te ndikuar politikisht.
Në mbështetje të protestuesve ishin edhe banorët e Unazës së Re të cilët nga jashtë gjykatës nuk i kursyen thirrjet kundër qeverisë. Për 8 protestat e opozitës që janë zhvilluar deri më 4 Prill janë arrestuar 47 përsosna ndërsa 55 janë proceduar penalisht midis tyre edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi./abcnews.al