Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në qeli. Edhe pas rikthimit nga Gjykata e Lartë për rishqyrtim, Apeli i Gjykatës së Posaçme nuk ndryshoi masën e sigurisë për ish-presidentin. SPAK e akuzon Ilir Metën për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje të ardhurash.
Vendimi i Gjykatës së Lartë për të rikthyer për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm ankimin e ish-presidentit Ilir Meta për masën e sigurisë, nuk pati asnjë vlerë për këtë të fundit.
Pas 20 muajsh i izoluar në IEVP 313, ish-presidenti i Republikës do të vijojë të qëndrojë sërish në qelinë e paraburgimit, pasi gjyqtarja Saida Dollani nuk pranoi kërkesën e tij për të zbutur masën e sigurisë “arrest në burg”.
Shkalla e dytë e gjyqësorit shpalli vendimin këtë të enjte, duke lexuar vetëm dispozitivin pa argumentuar arsyet e rrëzimit të kërkesës.
Vendimi u cilësua nga mbrojtësi ligjor i Metës si i padrejtë, madje ky i fundit ofendoi gjyqtaren e çështjes dhe i bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që ta shkarkojë si magjistrate.
Kërkesat e Ilir Metës për të dalë nga qelia e paraburgimit kanë qenë të shumta në të treja shkallët e gjyqësorit, por asnjëra prej tyre nuk është marrë parasysh. Gjyqtarët nuk kanë marrë për bazë as vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e praktikës unifikuese për paraburgimet.
Ilir Meta mbahet në qeli që prej 21 tetorit të vitit 2024 si person që dyshohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pastrim parash, korrupsion pasiv në 3 episode dhe për mosdeklarim e fshehje pasurie, për aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim.


