Aparatura jetë-shpëtuese nga Gjermania, Manastirliu: Lufta e COVID-19 nuk fitohet e vetme

schedule14:11 - 23 Shtator, 2020

schedule 14:11 - 23 Shtator, 2020

Gjermania ka ofruar mbështetjen e saj me aparatura jetë shpëtuese të teknologjisë së lartë, për forcimin e kapaciteteve të terapisë intensive në spitalet COVID.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në rrjetin social “Facebook” .

Ministrja e Shëndetësisë gjithashtu i bën apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm, ndërsa shton se në përballjen me betejën e koronavirusit, duhet bashkëpunimi i të gjithëve, për të këputur zinxhirin e përhapjes së infeksionit.

“Është e vështirë që një luftë të fitohet e vetme. Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë kemi arritur të forcojmë kapacitetet tona. Lufta më e madhe është ajo që duhet të vijojë në terren, për të këputur zinxhirin  e infeksionit dhe për këtë duhet bashkëpunimi i të gjithëve”, tha Manastirliu

Plani vjeshtë-dimër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e COVID-19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale.

Ministrja Manastirliu rikonfirmoi edhe angazhimin financiar të qeverisë shqiptare për vaksinën anti-COVID dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së COVID19.

Manastirliu ndau dhe me stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” angazhimin e qeverisë jo vetëm për të vijuar pagesën e bonusit special për mjekët në vijën e parë të përballjes me COVID-19 por edhe rritjen e konsiderueshme të pagave për të gjithë mjekët dhe infermierët, duke filluar nga viti që vjen.

/abcnews.al/