Këtë të premte në “Abc e pasdites” me moderatorin Ermal Peçi u diskutua për prezantimin e Shqipërisë në Eurovizion me këngën “Karma” të Anxhela Peristeri. Të gjithë u befasuan teksa emri i parë që kaloi në finale ishte ai i vendit tonë. Në studion e pasdites ishin të pranishme Elsa Ymeri dhe Antoneta Koçi të cilat dhanë komentet në optikën e tyre sa i takon këtij kompeticioni e veçanërisht prezantimit të Shqipërisë.
Elsa Ymeri theksoi se Anxhela vokalisht e ‘gllabëroi’ skenën. “Mbrëmë unë e dëgjova Anxhelën katër herë. Dhe e di pse e kam dëgjuar? Vetëm për çështje veshi se doja të kapja diçka dhe nuk kapa asgjë GABIM.”.
Ndërkohë që Antoneta nënvizoi se kishte shumë besim tek Anxhela dhe pritur performancën ishte e sigurt që do kalonte në finale. “Kisha shumë besim tek Anxhela dhe pa dëgjuar fare këngën se si do performonte isha shumë ë sigurt që do bënte një performancë shumë të mirë”, tha ajo.
Festa nuk ishte vetëm tek ekipi i Anxhelës në Hollandë, por edhe në Tiranën tonë. Plot artistë, ndjekës te Eurovizionit e fansa të Anxhelës ishin mbledhur në një festë plot emocione teksa po ndiqnin live performancat e vendeve konkurruese në natën e mbremshme. Ermali si një nga organizatorët tha në program se donte shumë që edhe Tirana ta bëj kulturë festën mbështetëse për artistët.
Ndër artistët e njohur dhe personazhet publik në event mund të përmendim Ronela Hajati, Irma Libohova, Klevis Saliaj, Dasara Karaiskaj, Ervin Kurti etj. Momentet fantastike e brohorimat elektrizuese të televotimit i gjeni në kanalin tonë të Youtube.
Ndërkohë Mateus Frroku tregon mesazhin që ishte duke i dërguar direkt pas performancës këngëtares: “Je shpirt, je fantastike, je yll me yll në ballë”. /abcnews.al