Në qytetin e Lezhës, analiza për të zbuluar nëse je i prekur nga SIDA apo jo nuk kryhet. Kjo për shkak se në laborator mungon lënda bazë.
Testet për HIV/AIDS në Lezhë nuk mund të kryehen. Ka pak kohë që laboratori bakterologjik, ku edhe realizohen këto analiza nuk është i furnizuar me materialet e nevojshme të shërbimit.
Shumë të interesuar janë kthyer mbrapsht sepse punonjësit u tregojnë mungesën e bazës materiale. Burime të besueshme i thanë ABC Neës, se situata është krijuar për shkak të anulimit të tenderit për pajisjen e laboratorit me bazën materiale.
Ky tender është anuluar edhe më parë dhe tashmë shërbimi në Lezhë mungon. Drejtoria e Shëndetit Publik nuk ka folur për situatën edhe pse në fakt përbën një shqetësim shumë serioz.
Testet për HIV/AIDS janë të detyrueshme të kryhen nga gratë shtatzëna në muajt e parë të barrës. Kjo për të shmangur lindjen e bebeve të infektuara nga ky virus, por për sa kohë këto analiza do të mungojnë, rreziku do të jetë prezent./abcnews.al