Anulimi i mbledhjes së përbashkët, reagon qeveria e Kosovës

schedule22:00 - 13 Qershor, 2023

schedule 22:00 - 13 Qershor, 2023

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja e përbashkët me Shqipërinë është anuluar në mënyrë të njëanshme nga kjo e fundit. Zëdhënësi i qeverisë kosovare, Përparim Kryeziu ka thënë për Kosova Press se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër të mundshme.

“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë në një prononcim.

Sipas tij, janë qytetarët ata të që do të humbasin më së shumti nga mosnënshkrimi i marrëveshjeve.

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të mëdha organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, ka thënë Kryeziu.

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp duke konfirmuar anulimin e mbledhjes së përbashkët. Rama deklaroi se mbledhja e përbashkët nuk mund të mbahej në kohën kur “Kosova po digjet në reputacionin ndërkombëtar” dhe për këtë arsye kishte kërkuar një takim të ngushtë me Kurtin.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!