Me 110 vota pro dhe asnjë kundër, parlamenti miratoi aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, me përfaqësues kryeministrin Edi Rama.
Në seancën e thirrur jashtë radhë nuk munguan përpjekjet e opozitës për ta vonuar me çështje proceduriale dhe kartona të kuq. Por më pas një komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme dhanë sinjalin e parë për miratimin e marrëveshjes në parlament.
Aty ku vetë Rama nuk ishte i pranishëm gjatë procesit të votimit, por ftesën e Trump për në Shtëpinë e Bardhë ia votoi vetë Berisha me vullnet të plotë, me dorën lart dhe kokën poshtë.
Votës pro të demokratëve dhe socialistëve ju bashkuan deputetët e Mundësisë, por jo Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë dhe Ana Dajko e Shqipëria Bëhet, të cilët nuk morën pjesë në votim.
Parlamenti rrëzoi dhe tre amendamentet e PD, sipas të cilave, Shqipëria mund të përfaqësohet dhe nga kreu i shtetit, por presidenti Begaj autorizoi kryeministrin Edi Rama për përfaqësimin e Shqipërisë, duke i dhënë fund çdo polemike të opozitës në Tiranë. Ndërsa së shpejti, vendi ynë, do ulet në mesin e shteteve për menaxhimin e tranzicionit në rripin e Gazës.
E ndërsa Rama do të udhëtojë drejt Uashingtonit për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, edhe me votën e Berishës, këtij të fundit, Taulant Balla, i kujtoi hesapet që ka për të larë në Tiranë.


