Ankimimi i Komisionerit Publik, KPA shtyn seancën për Adriatik Llallën

schedule10:32 - 16 Maj, 2018

schedule 10:32 - 16 Maj, 2018

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shtyjë për në datën 31 Maj seancën për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Lalla. Seanca e sotme ishte thirrur pas ankimimit nga ana e Komisionerit Publik të vendimit të KPK-së të datës 16 Shkurt 2018 për ndërprerjen e procesit të Vettingut për Adriatik Lallën, pas dorëheqjes së tij nga sistemi i drejtësisë.

Ish-kryeprokurori nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme, por është përfaqësuar nga përfaqësuesi i tij ligjor, Sokol Hazizaj. Avokati tha gjatë seancës se i përfaqësuari prej tij, Adriatik Lalla, nuk kishte asnjë dijeni për mbajtjen  e kësaj seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Gjithashtu ai kishte prokurë të përgjithshme për përfaqësimin e Adriatik Llallës, por jo prokurë specifike për përfaqësimin e tij në këtë seancë. Ndaj Kolegji i Posaçëm i Apelimit i la 15 ditë kohë avokatit Sokol Hazizajt të plotësojë prokurën e tij duke shprehur në mënyrë të posaçme vullnetin e  subjektit për t’i dhënë avokatit tagrin për ta përfaqësuar në Apel kundër vendimit të KPK-së.

Po ashtu u vendos të përsëritet njoftimi publik për ankimimin e Komisionerit për vendimin e KPK-së për Adriatik Llallën, si dhe të njoftohet subjekti i rivlerësimit kalimtar Adriatik Lalla për mbajtjen e seancës në këtë Kolegj në 31 Maj ora 10.00.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për këtë çështje përbëhet nga Sokol Çomo, kryetar; Luan Daci, relator dhe anëtarët Albana Shtylla, Ina Rama dhe Ardian Hajdari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!