Anketa e buxhetit të familjes, INSTAT: Për çfarë shpenzojnë shqiptarët

schedule14:03 - 26 Shtator, 2019

schedule 14:03 - 26 Shtator, 2019

Edhe gjatë vitit 2018 shqiptarët kanë shpenzuar më shumë për ushqimin. Por ndryshe nga vitet e tjera anketa e buxhetit të familjes që publikon çdo vit INSTAT, tregon se shpenzimet familjet nuk i kanë përqendruar më tek arsimimi, por tek mobilimi i shtëpive.

Ushqimi vazhdon të marrë gjysmën e të ardhurave mujore të një familje. Viti 2018 tregoi se ky buxhet u rrit më shumë se vitet e tjera në qarqet Berat, Dibër, Durrës dhe Elbasan. Për ushqime shpenzuan edhe më shumë se mesatarja kombëtare me mbi 47 për qind të buxhetit mujor edhe në Elbasan, Fier e Gjirokastër.

Ndërsa në Tiranë familjet çojnë 39.7 për qind të buxhetit për ushqime, niveli më i ulët në shkallë vendi pas Vlorës e cila çon vetëm 39.6% të buxhetit të saj për ushqime. Në të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave vihet re se familjet shqiptare nuk kanë patur prioritet edukimin dhe arsimimin siç ka ndodhur në vitet e kaluara. Gjatë vitit 2018 ata janë përqendruar në mobilim dhe mirëmbajtje të shtëpisë.

“Shpenzimet e bëra në grupin “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” në vitin 2018 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 25,8 %, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “pajisje dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të banesës”.

Më shumë para se një vit më parë kanë shpenzuar edhe për artikuj e produkte për kujdesin personal por edhe për shërbime telefonike. Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej rreth 8 mijë lekë përbën 10,5 % të totalit të buxhetit familjar.

Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes 2018, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje të përbërë mesatarisht nga 3 deri në 4 persona janë rreth 76 mijë lekë duke pësuar rritje me 3,5 përqind krahasuar me vitin 2017.

Totali i shpenzimeve për konsum është 58,67 miliardë lekë në muaj për rreth 773 mijë familje. Ndërkohë që rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017, është 2,0 %.  Ndër qarqet me shpenzimet më të larta mujore për konsum është Tirana me afro 88 mijë lekë në muaj ndërsa qarku që shpenzon më pak është Dibra me afro 58 mijë lekë në muaj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!