Të paktën dy anije të sanksionuara nga SHBA-ja, të lidhura me Iranin, kanë hyrë në Gjirin Persik përmes asaj që duket se është një rrugë e re pranë ishujve iranianë Larak dhe Qeshm, ndërsa trafiku në Ngushticën e Hormuzit ka mbetur ndjeshëm i reduktuar në ditën e tretë të bllokadës amerikane.
Të dhënat e gjurmimit të anijeve treguan se transportuesi i gazit të lëngshëm të naftës G Summer dhe supertankeri i naftës Hong Lu, i njohur gjithashtu si RHN, hyrën në Gjirin Persik pasi kishin ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke lundruar pranë bregdetit iranian dhe më pas duke kaluar nëpër Hormuz përmes një rruge të pazakontë.
G Summer, që lundronte bosh, transmetonte të dhëna për pronësi dhe ekuipazh kinez, një sinjal i zakonshëm i sigurisë, ndërsa shënonte si destinacion qytetin Khor Al Zubair në Irak.
Hong Lu, gjithashtu bosh dhe i sanksionuar nga SHBA-ja për lidhje të dyshuara me Iranin, e ndoqi pak më vonë. Tankeri, i cili mund të transportojë deri në 2 milionë fuçi naftë bruto, u pa më pas duke lundruar drejt perëndimit përgjatë bregdetit iranian, duke sinjalizuar se ishte në pritje të udhëzimeve.
Anija transportuese e mallrave Rosalina gjithashtu duket se ndoqi të njëjtën rrugë më herët, duke sinjalizuar se ishte në drejtim të një porti iranian me ngarkesë ushqimore.
Trafiku dalës gjithashtu vazhdoi në mënyrë të kufizuar. Dy anije kontejnerësh të lidhura me Iranin, Golbon dhe Kashan, u panë duke u larguar nga Gjiri dje.
Nobler, një tanker i vogël produktesh, doli drejt lindjes në Gjirin e Omanit në të njëjtën ditë.
Pavarësisht lëvizjes së vazhdueshme, trafiku nëpër Hormuz është ngadalësuar ndjeshëm. Nuk u panë tankerë iranianë të ngarkuar plotësisht me naftë bruto duke u larguar përmes ngushticës, duke vënë në rrezik eksportet në kohë lufte të vlerësuara rreth 1.7 milionë fuçi në ditë, megjithëse ndërhyrjet elektronike dhe praktikat e flotës “së errët” mund të fshehin disa kalime.
Dje Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se asnjë anije nuk kishte kaluar përmes bllokadës së saj dhe se nëntë anije kishin zbatuar urdhrat për t’u kthyer drejt Iranit.
Ndërkohë, Irani tha se një nga supertankerët e tij të naftës kishte thyer bllokadën. Anija nuk u emërtua, por mund të bëhej fjalë për tankerin e sanksionuar Alicia, për të cilin të dhënat e gjurmimit treguan se kishte hyrë në Gji gjatë ditës së djeshme.


