Anglia “abonohet” me katërshen, “Tre Luanët” arrijnë gjysmëfinalen e tretë në 6 vjet

schedule19:36 - 7 Korrik, 2024

schedule 19:36 - 7 Korrik, 2024

Nuk ka marrë thuajse asnjë lavdërim.

Anglia, një nga skuadrat me emrin më të madh në futbollin botëror, sikur po u vret sytë njerëzve që e shohin në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian, veçse trajneri Gareth Southgate po bën diçka që paraardhësit e tij nuk e kishin arritur, teksa nën drejtimin e tij, “Tre Luanët” arritën për herë të tretë katërshen në 4 turnetë e fundit të mëdhenj.

Kësaj nuk ia kishte dalë as Sir Alf Ramsey në vitet ‘60-të e ‘70-të, as Sir Bobby Charlton në vitet ‘80-të, dhe as brezat e mëdhenj të viteve ‘90-të e 2000.

Triumfi i vështirë ndaj Zvicrës, vetëm pas penalltive la pas dështimin në çerekfinalen e Kupës së Botës në Katar kundër Francës. Ai turne në Lindjen e Mesme ishte i vetmi në 4 radhazi kur anglezët nuk arritën gjysmëfinalen.

“Epoka” e Southgate, nëse mund ta quajmë kështu, filloi në Kupën e Botës 2018 në Rusi, kur edhe pse me vështirësi kaloi Kolumbinë e Suedinë në raundet me eliminim direkt, dhe u mposht vetëm në gjysmëfinale nga Kroacia me shifrat 2-1.

Në Euro 2020, që në të vërtetë u luajt në 2021 për shkak të pandemisë, anglezët hodhën një hap më shumë, me “Ishullorët” që kaluan me sukses grupin ndaj Kroacisë e Çekisë, pastaj mundën 2-0 Gjermaninë në raundin e dytë, Ukrainën 4-0 në çerekfinale dhe Danimarkën me vështirësi në katërshe, 2-1.

Finalja, që ishte një dramë e vërtetë, u humb në “Wembley” ndaj Italisë pas penalltive dhe tashmë, jemi në gjysmëfinalen e tretë në 4 turne të mëdhenj radhazi, teksa ende nuk dihet nëse ka ardhur koha që kjo vazhdimësi e Anglisë të shpërblehet. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!