Angli, agjenti nervor që helmoi çiftin erdhi nga një shishe

schedule21:01 - 13 Korrik, 2018

schedule 21:01 - 13 Korrik, 2018

Agjentët e anti-terrorit në Angli kanë zbuluar se gazi nervor që helmoi për vdekje një grua dhe la në gjendje kritike partnerin e saj kishte ardhur nga një shishe e gjetur në shtëpinë e tyre. Autoritetet e kanë cilësuar konstatimin një zhvillim të rëndësishëm, por hetimet vazhdojnë.

Agjenti nervor Noviçok që helmoi dy persona në Uiltshajër të Anglisë erdhi nga një shishe e vogël e gjetur në shtëpinë e çiftit. Shishja është gjetur nga ekspertët në shtëpinë e Çarli Rouli, në EJMSBËRI dhe është testuar nga specialistët e laboratorit shkencor të Ministrisë së Mbrojtjes. Rouli, 45 vjeç, vazhdon të jetë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore; ndërsa partnerja e tij Daun STËRXHES ndërroi jetë fundjavën e kaluar. Ndërkohë, specialistët po vazhdojnë punën për të zbuluar nëse substanca nervine e gjetur në banesë ka ardhur nga vendi ku u infektua ish-agjenti rus Sergei Skripal dhe e bija, në muajin mars. Gjithashtu, hetues të policisë po përpiqen të zbulojnë nga vjen shishja dhe si ka përfunduar në shtëpinë e çiftit. Një zëdhënës ka deklaruar se detektivët e Anti-terrorit kanë marrë në pyetje zotin Rouli dhe pritet të flasin sërish me të për të zbuluar rrethanat se si ai dhe 44-vjeçarja STËRXHS, nënë e tre fëmijëve, ranë në kontakt me agjentin nervor. Ndërkohë, ekspertë të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike pritet të udhëtojnë drejt Britanisë për të konfirmuar në mënyrë të pavarur identitetin e substancës helmuese. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!