Analisti Ardjan Arifaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende mendon se është në opozitë duke iu referuar kështu qëndrimeve që ka mbajtur së fundmi për dialogun me Serbinë.
Sipas tij, qëndrimet e qeverisë po i kushtojnë shumë Kosovës në integrimin e saj.
“Janë bërë dy vite që kjo qeveri është në pushtet. Është një kohë e gjatë për të kuptuar dallimet mes të qenurit opozitë dhe pushtet dhe nevojës për të marrë vendime. Kurti dhe VV kanë pasur nevojë që të kalojnë nëpër në një maturim politik nga opozita në qeverisje por tani është koha që të marrin vendime.
Lind pyetja: A po tregohet Kurti kryeministër po aq i mirë sa opozitar i mirë? Njëherë për njëherë po na bën të gjithëve të dyshojmë dhe të shqetësohemi për Kosovën sepse në ditët e fundit kemi marrë disa mesazhe jo shumë të këndshme nga përkrahësit e përhershëm të Kosovës që t’i shohim me shqetësim zhvilllimet e fundit, qasjen e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtare dhe rreziku që të humbasë një pjesë të përkrahjes nga bashkësia ndërkombëtare. Por dhe vonesa në integrimin ndërkombëtarisht është duke i kushtuar shumë Kosovës. Ende nuk është e barabartë me shtetet e rajonit.
Pyetje: Një nga çështjet e tjera që ka diskutuar Kurti është që nuk mund të jetë në qendër asociacioni por njohja e ndërsjellë?
“Vërej disa dallime derisa Serbia insiston të themelohet asociacioni para se të parashtrohet dialogu. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare flasin për nevojë që të fillojë puna për themelimin e asociacionit. Por për Kosovën dhe qeverinë duket se të fillosh të punosh për asociacionin i bie se e ke pranuar atë. Në një të ardhme të afërt, asociacioni do të formohet dhe do të jetë realitet.”
I pyetur për kërkesën e Kurtit, që pesë vendet evropiane të njohin pavarësinë e Kosovës tha se njohja është larg.
“Nuk mund askush të flasë në emër të Spanjës, Greqisë…e kemi parë që përfaqësuesi i BE, Lajçak ka takuar disa prej këtyre shteteve por asnjëri nuk ka dalë me ndonjë deklaratë që tregon se ka ndryshuar qëndrim sa i përket pavarësisë së Kosovës.
Në fakt, kjo tregon dhe njëherë atë që thamë vonesën në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Sot nuk kemi në tavolinë as njohjen nga Serbia as anëtarësimin në OKB. Na mbetet të shpresojmë që të paku këto pesë vende ta njohin Kosovën.”, tha ai./abcnews.al