“Amfiteatri i Durrësit prioritet”, Ceka: Ministria e Kulturës përjashton arkeologët vendas

schedule18:29 - 3 Mars, 2020

schedule 18:29 - 3 Mars, 2020

Amfiteatri i  Durrësit i cili pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit, është prioriteti kryesor i Ministris së Kulturës për këtë vit në fushën e arkeologjisë. Ministria e Kulturës Elva Margariti tha se synimi kryesor është hartimi i një plani menaxhimi edhe për këtë park arkeologjie.

“Projektet  e mëdha të Ministrisë kalojnë nëpër sitet më të prekura, me Durrësin. Kemi filluar punën e hartimit të një projekti shumë më të madh që nuk është vetëm rimëkëmbja e pjesëve të dëmtuara të teatrit.  Do të jetë një punë e cila do të çojë drejt një plani menaxhimi të mirëfilltë. Do të jetë e vetmja formulë që do ta kthente hijeshinë që Durrësi ka pasur”, tha Margariti.

Arkeologu i njohur Neritan Ceka, thotë se Ministria e Kulturës  harton projekte në fshehtësi të plotë  duke  përjashtuar profesionistët e arkeologjisë vendas dhe bashkëpunon me studio të huaja, ashtu siç bëri me Bylis dhe Butrintin dhe së fundmi edhe me Durrësin.

“Nuk thonë asgjë në publik, çdo gjë bëhet sekret. Kjo po ndodh edhe në Durrës. Nuk ka asnjë bashkëpunim. Kemi dy grupe që punojnë në Durrës, një punon në teatër dhe një punon me identifikim e mjeteve që kemi nën tokë. Kemi hartën arkeologjike, është e njëjta qeveri, marrin paratë nga Ministria e Financave dhe njëra i bën publike botimet, tjetra i bën në fshehtësi”, u shpreh Ceka.

Minsitria e  Kulturës sipas Cekës, ka përjashtuar Institutin e Arkeologjisë nga çdo lloj projekti dhe bashkëpunimi. Ndërkohë që ai thotë se Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka nivelin më të dobët të arkeologëve përgjatë gjithë historisë së tij.

“Kemi 100 vetë që punojnë në Institut, dhe vijnë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje. Janë injorantë të arkeologjisë ata që bëjnë qoftë planet për menaxhimin, qoftë ata që duan të marrin paratë”, tha Ceka.

Në Konferencën Ndërkombëtare të Arkeologjisë  “Iliria” identitete të kryqëzuara u prezantuan edhe objektet e dala nga nëntoka shqiptare si bashkëpunim i specilistëve shqiptarë dhe europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!