“Ambicie, Shqipëria 2030 vendi mik pritës i Formula1”, Rama: “Auto Moto Park”, motor i ri për ekonominë

schedule13:30 - 28 Mars, 2025

schedule 13:30 - 28 Mars, 2025

Një motor të ri për ekonominë e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, projektin “Auto Moto Park”, që pritet të ndërtohet në Elbasan. I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, Rama tha se ambicia për Shqipëria 2030, është që vendi ynë të jetë vendi mik pritës i garës së Formula1.

“Ambicia është që ‘’Shqipëria 2030’’, të jetë edhe vendi mikpritës i garës së Formula 1, diçka e pakonceptueshme deri para ca kohësh dhe diçka jo lehtësisht e konceptueshme nga vende shumë më me emër sesa i yni, por ja që  ne ia dalim dhe aty ku në një farë mënyrë, basti duket i pamundur dhe dua të theksoj që këtu nuk bëhet fjalë për të bërë një investim të kësaj natyre për një garë. Këtu bëhet fjalë për t’i instaluar ekonomisë shqiptare një motor të ri.

Ky projekt është ekonomi, nuk është garë me makina dhe është ekonomi sepse në harkun e 360 ditëve të vitit, ky projekt do të krijojë një destinacion. Një destinacion ku në qendrën e vet të gravitetit do të jetë siguria rrugore dhe ku që nga fëmijët e vegjël deri tek më të rriturit që ngasin një makinë apo do duan të ngasin një makinë, do duhet t’i referohen kësaj qendre për testimet përkatëse që do të jenë pjesë e të qenit tonë anëtar të BE.

Modeli ynë për këtë është qendra në Vjenë, por siç e vutë re mbase nga prezantimi i projektit, me skuadrën teknike të Formula 1 që ka punuar studio e përzgjedhur nga konkursi ndërkombëtar është ndërtuar një projekt qe brenda vetë familjes së cirkuiteve të Formula 1është inovativ. Është inovativ për një sërë zgjidhjesh që janë sugjeruar nga stafi teknik i Formula 1 dhe që faktikisht këtë cirkuit në Elbasan e bëjnë një cirkuit që sjell një sërë risish, gjë që është pjesë e kërkesave të Formula 1 kur adopton cirkuite të reja në kalendarin e vet.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që për shkak të një parashikimi jo optimist të motit, por këtu Elbasani zhgënjeu edhe parashikuesit duke, faktikisht na ofruar një ditë me diell, ne nuk i ndamë këto dy aktivitete, pra qëndruam këtu ekzaktësisht në këtë sallë ku Arbri e bëri pak prezantimin, salla që 90 e kusur vite më parë u vu në dispozicion të komunitetit nga një familje. Një familje e vjetër e Elbasanit mes shumë të tjerash, një familje që i ka përkitur atij rrethit kulturor të kësaj bashkësie, e cila bleu tokën dhe ndërtoi këtë godinë e cila njihet historikisht si biblioteka e qytetit. Këtu ne duam që të bëjmë një ndërhyrje të rëndësishme përmes ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. E para njëherë për ti rikthyer gjithë kësaj godine gjithë atë shkëlqimin, si një monument i mirëfillte kulture dhe për të krijuar një destinacion të librit që të ketë çka është ruajtur këtu, por të ketë edhe kohën e re, teknologjinë e kështu me radhë.

Pra nga një projekt shumë i madh dhe ambicioz që do të jetë një motor i shtuar për ekonominë kombëtare, tek një projekt i vogël dhe lokal që do të jetë një tjetër xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit, i nxjerrë nga kjo lloj situate këtu me një fqinj atje në formën e një ndërtimi absurd që i është ngjitur në kurriz dhe do t’ia ndajmë. Ecim më tutje për të çuar më tej atë vizionin e bashkimit të Tiranës me Elbasanit dhe bashkëngjitjes së Elbasanit me Tiranën si një gjymtyrë e një metropoli që tanimë gjithmonë e më shumë po merr formë si metropoli i dekadës së ardhshme me qendër Tiranën, me daljen në det në Durrës, me shtrirjen në verilindje në Dibër, edhe më këtë krah në Elbasan, ku në ndërkohë kalojnë edhe infrastrukturat e rëndësishme siç është edhe rrjeti europian i korridoreve, Korridori 8 që ne e përfshimë në rrjetin europian në samitin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në 2023.”- tha Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!