Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, mbërriti ditën e djeshme në Shqipëri ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare.
Ajo do të takohet me kryeministrin e vendit dhe Presidentin Bajram Begaj.
“Sapo zbriti në Shqipëri për dy ditë takime me drejtues të shoqërisë civile dhe qeverisë. Shqipëria është një aleat i palëkundur dhe një partner kritik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, veçanërisht përballë luftës brutale të Rusisë në Ukrainë”, theksoi ditën e djeshme ambasadorja në një postim në Twitter.
Linda Thomas-Greenfield, u prit nga ambasadorja Yuri Kim e cila e shoqëroi atë në kryeqytet, duke i prezantuar Tiranën.
“Kënaqësi të bëja një tur të sheshit ‘Skënderbej’, i cili mban emrin e Heroit Kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit për shoqërimin dhe mikpritjen e ngrohtë në Tiranë, ambasadore Yuri Kim”, theksoi Thomas-Greenfield.
What a treat to tour Skanderbeg Square, named after Albania’s national hero.
Thank you for showing me around and for the warm welcome to Tirana, @USAmbAlbania! pic.twitter.com/XMbMiSLFeM
— Ambassador Linda Thomas-Greenfield (@USAmbUN) November 6, 2022
Ndërsa në një postim të ambasadës amerikane theksohet se “në takimet me udhëheqësit shqiptarë, ambasadorja Thomas-Greenfield do të përcjellë mirënjohjen e saj për lidershipin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka treguar si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi një gamë të gjerë çështjesh në mbarë botën.”
Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të vizitojë Shqipërinë dhe Poloninë nga 6 deri më 9 nëntor për të ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për këto dy aleate të vendosura që po punojnë me ne për t’ju përgjigjur krizës së shkaktuar nga lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës./Abcnews.al/