Ambasadori gjerman apel Kosovës: Masat e njëanshme i hedhin benzinë zjarrit

schedule13:49 - 4 Shkurt, 2024

schedule 13:49 - 4 Shkurt, 2024

KOSOVË- Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka ndarë të njëjtin shqetësim me Bashkimit Evropian ndaj veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës, që çuan në mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Bashkimi Evropian i është bashkuar kritikave të shprehura edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për operacionet e autoriteteve të Kosovës në institucionet komunale në Kosovë të administruara nga Serbia.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mëngjes nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) kërkohet që statusi i këtyre institucioneve të zgjidhet përmes dialogut në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.

BE-ja i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të “ndalin veprimet e njëanshme që nxisin tensione”, ndërsa ambasadori shtoi  se pajtohet me këtë reagim të BE-së.

“Sërish, plotësisht përkrahi këtë deklaratë! Masat e njëanshme vetëm sa i shtojnë benzinë zjarrit dhe janë e kundërta e reduktimit të tensioneve. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është platforma e përshtatshme për t’i adresuar këto çështje”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!