Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier dhe ambasadorët e vendeve të Quint në Kosovë kanë takuar ushtarët ukrainas që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Në Kosovë janë 40 ushtarë të Ukrainës.
Hovenier tha se kanë shprehur mbështetjen për popullin ukrainas, i cili u sulmua nga Rusia.
“Me ambasadorët e Quint u takuam me ushtarët ukrainas në kuadër të KFOR’it që sigurojnë stabilitetin e rajonit”, njoftoi Hovenier.
“Shpreh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ata dhe familjet e tyre përball agresionit të Rusisë. Së bashku me partnerët tanë të Quint, BE’së dhe NATO’së Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të bashkuara me Ukrainën”, shtoi Hovenier.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para. /Express