Ambasadorët e BE diskutojnë për hapjen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë

schedule18:10 - 13 Qershor, 2018

schedule 18:10 - 13 Qershor, 2018

Ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Evropian janë mbledhur për të diksutuar mbi hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Midis tyre nuk kanë munguar vendet skeptike që kërkojnë realizimin e plotë të reformave të kërkuara.

“28 ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian janë mbledhur këtu në ndërtesën e Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian për të diskutuar ndër të tjera edhe për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian. Diskutimet janë fokusuar në dy kampe: Ambasadori gjerman ka deklaruar, se Gjermania pret vendimin e parlamentit federal, Bundestagut, ndërkohë që ambasadori francez është shprehur se Franca është  kundër zgjerimit aktualisht. Edhe pse ky qëndrim është i përgjithshëm, sipas Francës, vende që pretendojnë ngjitjen në një shkallë më të avancuar të integrimit europian si Maqedonia dhe Shqipëria duhet të kryejnë reformat e brendshme në kuadrin e forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Ndërkohë, që ambasadori holandez ka thënë se qëndrimi i Holandës do jetë strikt dhe i ndershëm lidhur me atë nëse janë përmubushur kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian. Shtetet e tjera anëtare duket se janë në favor të hapjes së negociatave, por jemi ende larg arritjes së unanimitetit për vendimin e ministrave të jashtëm të BE-së 26 qershorit që do t’i prijë vendimit zyrtar të liderëve europianë në 29 qershor”.

Diskutimi i ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian i paraprin vendimit që ministrat e jashtëm të kësaj organizate do të marrin në 26 qershor lidhur me negociatat e anëtarêsimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian. Vendimi i ministrave të jashtëm do të shërbejë si bazë për vendimin zyrtar të liderëve të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Europian në 29 qershor.

Ndër shqetësimet e ngritura nga disa shtete anëtare skeptike për Shqipërinë, janë se zbatimi i reformës së drejtëisë është ende në fazat e para dhe është herët për të bërë vlerësimin e kësaj reforme dhe në veçanti të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po, ashtu është artikuluar, se korrupsioni mbetet një problem serioz dhe reflektohet edhe në gjirin e administratës publike dhe te forcave të rendit. Për luftën kundër krimit të organizuar rezultatet e paraqitura janë të pamjaftueshme, ku numri i padive dhe dënimeve përfundimtare për krime të rënda mbetet shumë i vogël, ndërkohë që kërkohet intensfikimi i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikut të drogës.

Për Maqedoninë, reforma e re e drejtësisë sapo ka filluar dhe kërkon një proces të gjatë dhe një qasje të re. Autoriteteve maqedonase u kërkohen përpjekje për depolitizimin e administratës publike dhe punësimin e punonjësve të administratës bazuar në parimin e meritokracisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka dhënë ende rezultate të mjaftueshme dhe ka defiçencë strukturore dhe operacionale të kapacitetit të institucioneve për të luftuar korrupsionin.

Gazetare e ABC News: Erisa Zykaj