Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një video në të cilën tregohet mënyra se si do të funksionojë Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar. Sipas selisë së diplomacisë amerikane në vendin tonë, SPAK ka të gjithë fuqinë që të ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë duke përfshirë zyrtarë të sotëm dhe ish-zyrtarë të lartë.
SPAK do t’i kundërvihet niveleve më të larta të korrupsionit. Me SPAK, askush nuk do të jetë mbi ligjin. Është kjo bindja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nëpërmjet një videoje shpjegon se si funksionon Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar.
“Pse nevojitet SPAK dhe si do t’i ndjekë penalisht ky institucion rastet e korrupsionit në nivelet më të larta? SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë, duke përfshirë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë.”
Stuktura e posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, ose shkurt SPAK është një institucion i ri kushtetues, detyra e së cilit është të hetojë dhe ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. SPAK përbëhet nga dy pjesë Prokuroria e Posaçme, e cila përbëhet nga prokurorë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit e cila përbëhet nga hetues. Ambasada e Shteteve të Bashkuara sqaron se pse nevojitet SPAK.
“Në sistemin e vjetër gjyqësor, zyrtarët e nivelit të lartë të korruptuar dhe bosë të krimit të organizuar ishin “të paprekshëm”sepse gjyqtarë dhe prokurorët e korruptuar ose të kërcënuar nuk i nxirrnin para drejtësisë. Me anë të para lidhjeve, përkatësisë politikë dhe kanosjeve këta gjyqtarë dhe prokuror ishin të prekshëm nga ndikimi politik dhe korrupsioni. Kjo e bënë të pamundur ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit në nivele të larta. Çmimin e paguante gjithë vendi..”!
SPAK, do të jetë një organ i pavarur, jo politik, i cili do të hetojë dhe ndjek penalisht “të paprekshmit”e Shqipërisë. Këtu përfshirë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë. Prokurorët e Posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe telefonave të tyre për të parandaluar korrupsionin apo kanosjen e tyre. Kjo bazohet në modele që janë përdorur në vende të tjera si Kroacia dhe Rumania.
“Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për t’iu kundërvënë korrupsionit në nivele të larta. Duke qenë se është në kushtetutë, kjo do të thotë edhe që të pa prekshmit nuk mund të ndryshojnë atë. Me pak fjalë, SPAK do t’i kundërvihet niveleve më të larta të korrupsionit. Me SPAK askush nuk do të jetë mbi ligjin. Askush nuk do të jetë i paprekshëm dhe gjithë vendi do të përfitojë nga kjo”.
Kjo është video e tretë informuese e publikuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në dy të parat ajo tregoi se çfarë është procesi i vettingut dhe se si funksionon Gjykata Kushtetuese./ABC News Albania 24/7