Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama për Presidentin e përbashkët në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Sipas kësaj selie diplomatike, gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë nuk e fsheh që kjo deklaratë e kryeministrit, Edi Rama, ka zhgënjyer.
Reagimi i selisë diplomatike të SHBA-së u bë pasditen e së mërkurës përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale. Me një gjuhë të drejtëpërdrejtë aty shkruhet:
“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.”
Më tej, ky mesazh vijon:
“Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, perfundon reagimin e saj ambasada amerikane në Tiranë.
Në lidhje me këtë deklaratë, kryeministri Edi Rama sqaroi se ajo ishte nxjerrë nga konteksti.
Reagimi i ambasadës amerikane nuk është i pari i këtij lloji ardhur pas deklaratave të Ramës në Kuvendin e Prishtinës. Përveç reagimeve të ardhura nga vendet fqinje si Serbia dhe Greqia, në lidhje me këtë deklarate ka patur një reagim dhe nga Komisioni Europian që e cilësoi si të papërshtatshme. /abcnews.al