“Allegri më ka mësuar që rëndësi ka fitorja”, Rabiot: Nuk është e rëndësishme të jesh një skuadër e bukur në fushë

schedule15:45 - 2 Korrik, 2024

schedule 15:45 - 2 Korrik, 2024

Ndoshi ashtu siç parashikohej, me “Gjelat” e Francës, që arritën një fitore të madhe, pasditen e së hënës, në “Merkur-Spiel Arena”, të Dyseldorfit, teksa përballë “Djajve të Kuq”, të Belgjikës mundën të siguronin rezultatin 1 me 0, duke avancuar kështu për në fazën çerekfinale, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024

Nënkampionët e botës iu falën sërish një autogoli, duke vijuar të mbajnë 11-metërshin e Mbappe, si golin e vetëm të shënuar në këtë edicion të Kampionatit Evropian dhe mediat kanë nisur menjëherë nga kritikat për djemtë e Didier Deschamps, mirëpo “fantazisti” i mesfushës, Adrien Rabiot është shprehur pas ndeshjes, se nuk ka nevojë që Franca të jetë e bukur, për aq kohë sa ajo vijon të fitojë.

“Nuk është e rëndësishme që të jesh një skuadër e bukur në fushë, e keni parë se çfarë ka bërë Italia. Nuk kanë qenë as të bukur dhe as kanë fituar. Nuk ka rëndësi të jesh i bukur, Allegri thotë që e rëndësishme është të fitosh dhe ne këtë kemi bërë. Ndaj Belgjikës luajtëm mirë, ishte një ndeshje e bukur, jam i lumtur për skuadrën dhe mendoj se i kemi të merituara çerekfinalet”,- u shpreh mesfushori francez.

Ndërkaq, kujtojmë se ky i fundit do të jetë një nga mungesat më të mëdha, të “Gjelave”, në sfidën çerekfinale, të Euro 2024, aty ku mbrëmjen e 5 korrikut do të përballen, në “Volksparkstadion”, të Hamburgut, me “Luzitanët” e Portugalisë, duke përsëritur kështu finalen e madhe të Euro 2016, ku asokohe skuadra e Cristiano Ronaldo fitonte minimalisht, 1 me 0, pas golit të Eder, në minutën e 116’-të të kohës shtesë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!