Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj nga foltorja e selisë blu akuzoi kryeministrin Rama se po kërkon t’u hedhë hi syve të shqiptarëve. Të tillë e quan dorëheqjen e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, 6 muaj pas kërkesës së prokurorisë për arrestimin e tij. Në anën tjetër, numri dy i socialistëve, nga Elbasani, reagoi ndaj akuzave duke theksuar se tashmë, puna është në dorën e drejtësisë.
Ish-ministri i drejtësisë, demokrati Enkelejd Alibeaj, nga foltorja e selisë blu, dorëheqjen e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri e quan shfaqjen politike të rradhës së atyre që vijojnë skemën kriminale të kësaj qeverie.
“Nuk ia dorëzoi drejtësisë, 6 muaj më parë, duke iu bërë barrikadë me imunitetin.
Në këto 6 muaj, Edi Rama shkatërroi reformën e drejtësisë, duke e rrëmbyer si një kriminel i vërtetë, Prokurorin e Pergjithshëm dhe duke e vendosur nën këmbë Drejtësinë.
Në këto 6 muaj, nuk ia dorëzoi drejtësisë Saimir Tahirin, më justifikimin se nuk kishte prova dhe ndërkohë shkatërroi çdo provë që do të inkriminonte ministrin e tij të preferuar dhe atë vet.
E në fakt si Ponc Pilati, nuk lan dot duart nga këto 4 vjet të kanabizimit të Shqipërisë, të kthimit të saj në Far Ëest-in kriminalitetit shqiptar sado të përpiqet që me skenarë filmash të mashtrojë shqiptarët dhe mbarë botën.
E ndërsa teatri mes regjisor ER dhe aktor ST vazhdon të shfaqet në media, ministri i Brendshëm aktual, Agron Xhafaj po vë në zbatim një plan po kaq kriminal sa kanabizimi i Shqipërisë.
Ministri gënjen duke bërë fushata nëpër rrethe duke lajmëruar nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e drogës, por nuk sheh dhe dëgjon lajmet për tonelatat e drogës Made in Albania në brigjet italiane apo greke”.
Reagimi i mazhorancës erdhi nga Elbasani, ku numri dy i socialistëve Taulant Balla argumenton se çështja nuk është më në dorën e politikës, por drejtësisë shqiptare.
“Kjo është një çështje personale e Z. Tahiri e cila duhet hetuar vetëm nga drejtësia, askush tjetër nuk duhet të flasë më për këtë hetim të momentit sa kohë që ajo që u tha, që paska qenë vendimi i Kuvendit i cili ka penguar hetimin e plotë të kësaj çështje, dhe kjo çështje është sqaruar prej ditës së parë sepse edhe ai ka qenë një vendim për të standartizuar një proceduarë kuvendore, tani jemi në një fazë krejtësisht të re që politika nuk do të flasë më, por do të flasi drejtësia.
“E gjithë kjo zhurmë e madhe në gjithë këto gjashtë muaj se gjoja imuniteti i Z. Tahiri po pengonte hetimin e plotë të kësaj çështje. Sot Z.Tahiri nuk është më as me imunitet dhe as me mandat dhe sigurisht drejtësia do të bëjë punën e saj.”
Deklaratat vijne një ditë pasi ish-ministri Tahiri i kërkoi kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi nisjen e procedurave për heqjen e mandatit të tij si deputet. /abcnews.al