Alibeaj: Balla dhe Veliu zhdukën provat në Policinë e Fushë Krujës

schedule13:32 - 3 Tetor, 2018

schedule 13:32 - 3 Tetor, 2018

Punonjës të policisë dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë denoncuar se numri dy i socialistëve, Taulant Balla i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, të marrë masa për fshirjen e çdo prove që vërteton praninë e Ballës, Artur Bushit dhe Rrahman Rrajës në komisariat, ditën kur nënkomisar Emiljano Nuhu pretendon se është kërcënuar me armë nga ta. Denoncimi erdhi nga selia blu, nga ku demokrati Enkelejd Alibeaj akuzoi organet ligjzbatuese dhe ato hetimore për bërje palë në mbrojtjen politike të të akuzuarve.

Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamera që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21 Korrik. Ata janë të përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut natën e 21 Korrikut, por Policia ka bërë gjithçka për ta fshehur ngjarjen dhe për të zhdukur çdo gjurmë që mund ta vërtetojë atë”. 

Pavarësisht vënies në dijeni të dretjorit të përgjithshëm të policisë, minsitrit të brendshëm, kryeministrit dhe kryeprokurores, mungesa e veprimeve ligjore të ndërmarra nga organet shtetërore në verifikim të këtyre akuzave, për ish-ministrin e Drejtësisë Alibeaj, janë provë e qartë e këtij skenari.

“Asnjë nga këto veprime nuk është kryer, sepse, me urdhër të eprorëve më të lartë, Policia e Shtetit është vënë në shërbim të bandës dhe politikanëve banditë për të fshirë gjurmët e krimit. Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave”.

Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e kanë për detyrë t’i tregojnë publikut çfarë është bërë me kamërat e policisë së Fushë-Krujës, apo ato rreth saj dhe pse SHKB-ja që varet nga ministri i Brendshëm nuk i ka sekuestruar dhe amdinistruar ato, deklaron Alibeaj, sipas të cilit, heshtja me shpresën se skandali do të harrohet, nuk ka për t’i ardhur në ndihmë askujt./abcnews.al