Grupimi i Qendrës së Djathtë, i pesë partive të vogla aleate të demokratëve, prezantoi platformën e saj për vijimin e aksionit, pas zyrtarizimit të koalicionit opozitar me qëllim krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme si kusht për pjesëmarrje elektorale.
E përmbledhur në 12 pika, platforma hedh bazat për një marrëveshje politike kushtetuese, në dukje e ardhur për të ndalur një 17 maj të dytë.
“Une besoj se marrëveshja nuk mund te jetë Basha-Rama por politika shqiptare institucionale që hap rrugë për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Mediu në fjalën e tij.
Për të arritur këtë, grupimi i qendrës së djathtë i ka kërkuar presidentit të republikës të ulë në një tryezë dialogu opozitën dhe mazhorancën.
“Ne i jemi drejtuar presidentit, do e mbështesim në këtë iniciative dhe kemi bindjen se forcat politike do të gjejnë përgjegjësine të ulen në një tryezë… përfaqësuesit e forcave politike mund të ulen bashkë, ky është pozicioni që ne kemi dhe çdo njeri i arsyeshëm, përfshi zotin Basha”, shtoi më tej Mediu.
Edhe pse retorika e këtij të fundit ka kërkuar largimin e kryeministrit përpara një dialogu me socialistët, duket se opozita po i tregon presidentit hapin pas që ky i fundit i ka kërkuar kundërshtarëve politik në këtë betejë.
“Rama mund të ulet në tryezë institucionale si kryetar i PS e pranojmë si i tillë, nuk do të dialogojmë me Ramën kryeminsitër por në çdo tryezë ku jemi të barabartë si forca politike nuk ka problem”, ka bërë me dije Nard Ndoka.
Platforma përcakton se tryeza duhet të vijë në funksion të vlerësimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për shmangien e krimit elektoral, procedimin e grupeve kriminale të evidentuar në shit-blerje votash, vlerësimin e skadimit të afatit të kartave të identitetit dhe pajisjen e tyre me karta si dhe vlerësimin e përjashtimit nga lista të mbi 270,000 votuesve.
Jo vetëm kaq. Platforma përcakton edhe disa detyra që qeveria teknike e kërkuar nga opozita, duhet të plotësojë si përcaktimi i datës së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare me dakordësi politike, votimin e një reformë zgjedhore që dënon subjektet politike të përfshira në manipulim zgjedhjesh, si dhe kërkesën e hershme të aleatëve të demokratëve…
Ndërsa Dashamir Shehi shprehet se:
“Në këtë mes, ne kërkojmë prej vitesh ndryshimin e kodit zgjedhor, PD në këtë pikë nuk ka dhënë qendrim definitiv, ndaj ne bëmë platformën tonë”.
Një tjetër pikë ende e pa bashkërenduar me pjesën tjetër të koalicionit opozitar, Partinë Demokratike, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe PDIU-në.
“Kufizim mandatesh, që ata të tjerët nuk e kanë, dhe ne gjykojmë që nëse nuk kufizohen mandatet do të përsëritet e njëjta histori”, deklaroi Shehi.
Platforma e grupimit të qendrës së djathtë parashikon disa ndryshime kushtetuese që do të ndryshonin mënyrën si mbahen zgjedhjet, kush i përgatit ato, apo edhe mënyrën si zgjidhet presidenti dhe çfarë forme merr parlamenti i Shqipërisë./abcnews.al