Për protestën e 16 Shkurtit në Tiranë flasin aleatët parlamentarë të Partisë Demokratike. Për ABC News, ata thonë se demonstrata do të jetë paqësore, pa fjalime politike dhe pa kthim pas.
Fatmir Mediu: Nuk është çështje një dite. Zëri i qytetarëve nuk është një ditë. Qytetarët duhet të qëndrojnë në mënyrë të vazhdueshme karshi të keqes. 16 besoj është fillimi i lëvizjes qytetare shqiptare për të larguar një qeverisje, e cila është tashmë një barrë mbi kurrizin e shqiptarëve në të gjitha pikëpamjet, të ekonomisë, çështjet e sigurisë.
Gjenezë të një ndryshimi që bën bashkë jo vetëm parti politike opozitare, por këdo që si burim të problemeve që ka sot sheh kreun e qeverisë Edi Rama. Kështu e shohin aleatët parlamentarë të Partisë Demokratike protestën e së shtunës, ndaj në 16 Shkurt…
Dashamir Shehi: S’ka nevojë për fjalime të bukura. Fjalime po mbajmë përditë. Kjo është forca e qytetarëve që kanë kurajon t’u thonë jo një regjimi që ka mbushur kupën.
Sa i përket thirrjes së Policisë së Shtetit për mospjesëmarrje në tubim të kujt nuk ka lidhje me protestën, për shkak të informacioneve se individë me precedentë mund të nxisin dhunë…
Dashamir Shehi: Budallik i madh. Populli nuk shkon kundër Policisë së Shtetit, por kryeministrit. Policia ka detyrë të rrijë neutral në këtë çështje.
Fatmir Mediu: Dua t’i bëj thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme të distancohen nga raporti politik i policisë me qeverinë.
Dashamir Shehi: I thonë qytetarëve të qetë të Tiranës, por që Edi Rama ua ka pru në majë të hundës dhe duan të rrinë atje te pishat e bulevardit. I thonë ju rrini në shtëpi, ju të urtët, të ndershmit. Nuk kapen ata kriminelët ditën e demonstratës. Këta duan të bllokojnë autobusët, prandaj e bëjnë këtë punë.
Fatmir Mediu: Nuk e identifikon policia kush shkon e kush jo në protestë. Njerëzit që kanë precedentë penale i kanë në qeverisje çdo ditë dhe do ishte mirë të merreshin me ta çdo dite jo të merren me njerëzit tek protesta.
Dashamir Shehi: Kam frikë se ky do lidhë atletet apo ato këpucët me taka dhe do vrapojë aq shpejt…
Platforma e Bashkëpunimit e prezantuar nga opozita vetëm pak ditë më parë që angazhon demokratët në krijimin e asaj që quajnë “Koalicion opozitar qytetar” , për Dashamir Shehin dhe Fatmir Mediun është rasti më i mirë që opozita t’i mundësojë zërave intelektualë apo të rinjve të përfshihen në procese elektorale, jo si vullnet i kryetarëve të partive, por përmes listave të hapura që nxisin konkurencën politike./abcnews.al

