Albin Kurti është rizgjedhur në krye të Lëvizjes Vetëvendosje. Në votimet e së dielës për kryetar partie, ku Kurti ishte kandidat i vetëm, ai ka marrë më shumë se 98 për qind të votave. Më pak se 1 për qind e aktivistëve të Vetëvendosjes kanë votuar kundër Albin Kurtit në zgjedhjet për të parin e partisë. Sipas rezultateve paraprake të publikuara në orët e vona të mbrëmjes së të dielës nga vetë Lëvizja Vetëvendosje, për Kurtin kanë votuar 98.82% e anëtarëve.
Në votimin nuk kanë marrë pjesë të dorëhequrit nga kjo parti. Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu janë në mesin e atyre që nuk votuan. Shpend Ahmeti zgjodhi të votojë pak minuta para mbylljes së vendvotimeve. Përplasjet në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje dolën në publik në fund të vitit që lamë pas, pas publikimit të një mesazhi privat të Aida Dërgutit, ish-anëtare e Kryesisë së Vetëvendosjes./abcnews.al