Kandidati për kryeministër Albin Kurti u ka shpjeguar parlamentarëve italianë programin e tij qeverisës ndërkohë që është përballur me pyetje si të drejtat e pakicave, rëndësia e KFOR-it, lidhja me Shqipërinë, dialogu me Serbinë, krimet e luftës dhe korrupsioni.
Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka zhvilluar një vizitë një-ditore në Itali ku është takuar me kryetarët e Komisioneve për punë të jashtme dhe të mbrojtjes, përkatësisht Marta Grande dhe Gianluca Rizzo.
Në dëgjesë kanë qenë të pranishëm edhe 15 deputetë të tjerë të këtyre dy komisioneve e nga parti të ndryshme. Prezantimi i Kurtit është përqendruar në programin qeverisës zhvillimor, shpjegimin e gjendjes socio-ekonomike dhe rrethanave gjeopolitike ku ndodhet Kosova.
Kurti ka treguar pyetjet me të cilat është përballur në Rome, si të drejtat e pakicave, rëndësia e KFOR-it, lidhja me Shqipërinë, dialogu me Serbinë, krimet e luftës dhe korrupsioni.
Vizita e Kurtit është bërë në kohën kur në Kosovë nuk është krijuar ende koalicioni i ri qeveritar i cili pritet të ketë liderin e vetëvendosjes kryeministër.
Bisedimet kanë ngecur në çështjen e presidentit, ku LDK, partia e dytë fituese në zgjedhje, kërkon që ta ketë pjesë të marrëveshjes./abcnews.al


