Albin Kurti jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës

schedule12:22 - 15 Prill, 2025

schedule 12:22 - 15 Prill, 2025

Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Kështu ka deklaruar ai përmes një letre drejtuar Sekretariatit të Kuvendit të Kosovës, që e ka siguruar Klan Kosova.

Bazuar në ligj, ata që e fitojnë mandatin si deputet e nëse janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, pra kanë ndonjë pozitë ekzekutive si: Kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër apo edhe zëvendësministër, duhet të japin dorëheqje nga pozita qeveritare.

Kjo pasi sipas rregullave, ata nuk mund të jenë njëkohësisht, deputet dhe pjesë e ekzekutivit.

Letra e plotë:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar.

Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Me respekt,

Albin Kurti

Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!