Alarmi nga vala e dytë! Kosova shton kontrollet në pikat kufitare, ministri: Nuk ka tolerancë

schedule23:37 - 18 Tetor, 2020

schedule 23:37 - 18 Tetor, 2020

Kosova ka shtuar kontrollet në kufi me shtetet fqinje, përfshirë edhe Shqipërinë pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kërkoi nga të gjithë ata që hyjnë në Kosovë t’i respektojnë masat anti-Covid.

Pas rritjes së rasteve me Covid 19, në vend dhe në shtetet fqinjë, shtimi i kontrollit në pikat kufitare duhet të jetë më i madh, andaj të gjithë ata që hyjnë në Kosovë duhet t’i respektojnë masat e dhëna nga IKShPK-ja dhe MSh-ja.

Gjatë ditës, isha në pikën kufitare në Merdare, për të parë nga afër respektimin e masave anti Covid 19.

Organet e rendit bashkë me doganierët, në pikën kufitare në Merdare, po bëjnë punën e vet shumë mirë. Inkurajoj qytetarët dhe institucionet të kryejnë detyrat e veta, asgjë të mos i lihet rastit. Nuk ka tolerancë ndaj neglizhencës” tha ai.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Armend Zemaj nuk e përjashtoi krejtësisht mbylljen në rast se rriten numrat e të infektuarve me COVID-19. Por, thotë se është opsioni i fundit megjithëse mbylljen totale nuk e sheh si zgjidhje.

Ai deklaron se të gjitha institucionet duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim të njerëzve, pasi kjo paraqet rrezik për përhapjen e virusit. I pari i Shëndetësisë deklaroi se mosrespektimi i masave është një ndër shkaqet e rritjes së rasteve.

Paralajmëroi se do të ketë dënime për gjithë ata që nuk respektojnë ligjin dhe masat anti-COVID. Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë u shënuan një i vdekur dhe 137 raste të reja. Edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi ka një rritje të numrit të të infektuarve./ db/Abcnews.al