Alarmi: ISIS kërcënon përsëri Europën me sulme terroriste

schedule12:41 - 14 Maj, 2018

schedule 12:41 - 14 Maj, 2018

Në sajë të zhvillimeve të fundit në Francë, inteligjenca britanike ka dhënë alarmin për atentate të mundshme terroriste në Europë. Sipas inteligjencës së Londrës, që prej 2017 të paktën janë parandaluar 12 sulme në Mbretërinë e Bashkuar.

ISIS synon të kryejë sulme “shkatërruese” dhe “në shkallë të gjerë” në Europë pasi ka humbur territor në Lindjen e Mesme. Alarmi është dhënë nga kreu i inteligjencës britanike MI5, Andrew Parker, dhe ai këtë do t’ua komunikojë përgjegjësve për sigurinë europiane në Berlin.

Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, që nga sulmi në Westminster në 2017, janë parandaluar 12 atentate terroriste.

Numri një i inteligjencës së brendshme britanike është i gatshëm që të akuzojë edhe Kremlinin për “shkelje flagrante të rregullave ndërkombëtare” për helmimin e ish-spiunit rus Sergej Skripal dhe të bijës së tij në Salisbury në Mars. Parker e përshkruan tentativën për vrasje si “aktivitet I qëllimshëm keqdashës” që rrezikon të shndërrojë Rusinë në një “regjim më shumë të izoluar”.

Ndërkohë, sa i përket rastit të helmimit të ish-spiunit rus, Moska nuk ka pranuar se qëndron prara vrasjes së mbetur në tentativë. Për këtë pati dhe një reagim ndërkombëtar me dëbime diplomatësh rusë nga shumë vende perëndimore, përfshirë Shqipërinë. Me të njëjtën mënyrë është përgjigjur dhe Kremlini./abcnews.al