Dy lojtarë të sotëm të Skënderbeut dhe ish-kapiteni Bledi Shkëmbi kanë dëshmuar në UEFA lidhur me akuzat për trukim ndeshjesh. Sabien Lilaj ka udhëtuar për në Nion të Zvicrës së bashku me Shkëmbin dhe i kanë bërë deklaratat përpara panelit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, ndërsa afrikani Nimaga ka pasur videokonferencë nga Korça për shkak se nuk mundi të merrte dot vizën zvicerane.
Bashkë me ta, kanë dëshmuar në UEFA dy ish-lojtarë të Skënderbeut, Bernard Berisha dhe Liridon Latifi, të cilët tashmë luajnë në liga të tjera europiane. Sipas burimeve nga klubi korçar, të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se ndeshjet janë luajtur ndershmërisht.
Skënderbeu është dënuar me 10 vjet përjashtim nga kupat e Europës nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, si dhe është gjobitur me 1 milionë euro. Vendimi i Apelit pritet brenda një jave, ndërsa Skënderbeu ka mundësi të ankimohet edhe në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës./abcnews.al