Akuza për korrupsion, eurokomisioneri grek i mohon

schedule22:18 - 7 Shkurt, 2018

schedule 22:18 - 7 Shkurt, 2018

Komisioneri i BE-së për Emigracionin ka deklaruar se akuzat për korrupsion të ngritura kundër tij, janë pjesë e një komploti të thurur nga mendje të sëmura. Dimitris Avramopulos akuzohet për marrje rryshfeti nga kompani farmaceutike, kur ishte ministër i Shëndetësisë në Greqi.

Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos, e ka cilësuar skandalin e madh të korrupsionit të zbuluar në ditët e fundit në Greqi si një “komplot të paprecedentë”. Avromopoulos është mes 10 politikanëve grekë, emrat e të cilëve janë lakuar nga prokurorët që po hetojnë një skemë korrupsioni, ku është e përfshirë kompania farmaceutike zvicerane Novartis.

Kompania në fjalë akuzohet se u ka paguar ryshfete politikanëve më të lartë të shtetit helen për të përfituar caktimin e çmimeve të medikamenteve. Prokurorët dyshojnë se kjo aferë mund t’i ketë shkaktuar shtetit grek dëme që arrijnë në disa miliarda euro, duke ndikuar edhe në krizën e rëndë financiare. Veprimet ilegale thuhet të jenë bërë në periudhën 2006-2015, që përfshin edhe kohën, kur Avramopoulos ishte ministër i Shëndetësisë së Greqisë.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, ai ka dënuar atë që e ka cilësuar një “çështje hetimore të pabazë dhe defektoze”. “Është e qartë se kemi të bëjmë me një komplot të paprecedent, i cili është i papranueshëm për çdo shtet anëtar të Bashkimit Europian. Vetëm mendje të sëmura mund ta kenë sajuar atë”, ka thënë Avramopoulos. Komisioneri për Emigracionin, i cili i përket partisë konservatore Demokracia e Re, ka theksuar se gjithçka është një përpjekje e rivalëve për të “shfarrosur kundërshtarët politikë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!