Akti Normativ për sigurimin e dozave, Manastirliu: Edhe vendet e BE po i kthejnë sytë nga Rusia

schedule10:23 - 23 Mars, 2021

schedule 10:23 - 23 Mars, 2021

Në Kuvend miratohet ditën e sotme Akti Normativ që i jep të drejtën ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj që të negociojë krahas Ministrisë së Shëndetësisë për gjetjen e vaksinave kundër koronavirusit, të certifikuara nga vendet prodhuese.

Duke folur nga Kuvendi, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se me miratimin e këtij akti normativ, jepet leja që të vijojnë negociatat me shtete prodhuese dhe distributorë të vaksinave në mënyrë që të vijojë, procesi që ajo e cilësoi jetik, i vaksinimit.

“Akti normativ që miratojmë sot, është dhënia e lejes për të vijuar negociatat me ato vende prodhuese dhe me distributorë, që të kemi mundësi të vijojmë këtë proces jetik të vaksinimit në të gjithë vendin. Numri i shteteve të BE që tashmë nuk përjashtojnë asnjë vaksinë është rritur ndjeshëm. Gjermania dhe Italia, po kthejnë sytë ndaj vaksinave ruse, për shkak të ngërçit aktual, ne po bëjmë të pamundurën për të siguruar vaksina të sigurta..”

Gjithashtu, Ministrja informoi se me vaksinën e prodhuar nga AstraZeneca janë vaksinuar 30 për qind të mësuesve, kurse në vend kanë mbërritur gjithsej 90 mijë vaksina.

“30 për qind të mësuesve të vaksinuar me AstraZeneca dhe vijon vaksinimi i grupeve të rriskuara. Kanë mbërritur në vend mbi 90 mijë vaksina, të llojeve të ndryshme, Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V. Vaksinimi i grupmoshës plus 80, përmbyllet me ardhjen e vaksinave të tjera nga Pfizer, nga lëvrimin e kontratës…”

Duke argumentuar pranimin e vaksinave ruse, Manastirliu tha se tashmë kemi mjaftueshëm evidenca shkencore sa i përket vaksinave që qarkullojnë në botë dhe se është e nevojshme që të krijohet mundësia e diversikimit të portofolit të vaksinave.

“Është e nevojshme që të kemi mundësi të diversikojmë portofolin e vaksinave që të kemi më shumë akses. Shqipëria është në listën e vendeve që e kanë administruar vaksinën e parë, por edhe që vijojnë vaksinimin..” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!