Superiorja mbyllet sot dhe oraret e përzgjedhura janë të veçanta, edhe për shkak të ceremonisë së kurorëzimit të Tiranës kampione. Sfida e bardhebluve me Bylisin do të zhvillohet prej orës 19:00, në stadiumin “Air Albania”.
Më parë, prej orës 17:45, do të zhvillohen dy takime të tjera. Në Gjirokastër Luftëtari do të presë Kukësin. Verilindorët do kërkojnë të fitojnë dhe ta mbyllin sezonin në vendin e dytë, pasi nuk e kanë siguruar si pozicion.
Në të njëjtën orë, në Shkodër, Vllaznia pret Flamurtarin. Shkodranët sigurisht do ta kenë mendjen te përballja shtesë me fituesin e çiftit Besëlidhja-Pogradeci, ku vendoset edhe qëndrimi në Superiore. FSHF ka programuar edhe dy ndeshje të tjera në mbrëmjes, Teuta-Laçi dhe Skënderbeu-Partizani, që në kushte të tjera do të ishin sfida për t’u parë.
KATEGORIA E PARË – Sytë janë te ndeshja e orës 18:00, në Elbasan Arena. Besëlidhja përballet me Pogradecin dhe fituesja do të tentojë më pas Superioren, në një finale kundër Vllaznisë në stadiumin “Loro Boricci”.
Në program për sot ka finale për mbijetesën në grupin B. Elbasani është tre pikë larg mbijetesës dhe një fitore kundër Shënkollit në transfertë ua siguron qëndrimin në Kategorinë e Parë. Në Fushë-Krujë luhet një ndeshje shumë e rëndësishme dhe vendasit duhet të mposhtin Turbinën rivale. Devolli nuk ka shumë gjëra në dorë, por duhet të mundë Orikun dhe të shpresojë që ekipet rivale të bëjnë hapa fals, që të shpëtojnë nga rënia në të Dytën. /abcnews.al