“Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u negociua nga vetë anëtarët e grupit.” Kështu është shprehur deputeti demokrat Luçiano Boçi në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Radari Informativ” në ABC.
Ndërsa e cilësoi mbledhjen një akt të fortë bashkimi, Boçi theksoi se takimi nuk ishte thjesht i iniciuar nga kryetari Enkelejd Alibeaj, por në një farë mënyrë i imponuar nga grupi.
Lexo edhe: Grupi Parlamentar i PD mblidhet për të dytën herë brenda ditës
“Mbledhja ishte sot pas shumë mbledhjesh që konkluduan me dorëheqje. Akt i fortë bashkimi. Jo thjesht e iniciuar nga Alibeaj. Po e negociuar nga grupi parlamentar. Kërkesa e grupit nuk mund të refuzohet nga drejtuesi. Detyrim nga pjesa e grupit, akt bashkues. Retorika është më lart sesa aktet. Do pasohet nga akte të tjera.”
Ndërsa, duke u ndalur tek Kuvendi Kombëtar i 30 prillit, deputeti demokrat tha se secili nga anëtarët mund të vendosë vetë nëse do të jetë i pranishëm ndërsa shtoi se “linja të ndryshme nuk ka”.
“Kjo nuk ishte betejë mes dy individëve por përplasje mes lidershipit dhe bazës…Janë sqaruar çështje personale. Nuk ka linja. Janë marrëdhënie që do përmirësohet në vazhdimësi. Çështja e shkuarjes, të ndarë apo të bashkuar, është zgjidhje personale. E vendos unë nëse do shkoj apo jo.”
Kurse, për rastin e arrestimit të ish-deputetit socialist Alqi Bllako për aferën e inceneratorëve, Boçi thotë se përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin Edi Rama dhe se figurat që po arrestohen janë thjesht “koka turku”. /abcnews.al/